Secondary Adv

Bashkitë me 31 mln euro borxhe në 6 mujorin e parë të vitit, Kavaja kryeson listën

Bashkitë shqiptare e mbyllën gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 me rreth 3.1 miliardë lekë, ose 31 milionë euro, detyrime të prapambetura ndaj bizneseve dhe qytetarëve.

Kavaja rezulton bashkia me stokun më të lartë të borxheve, ndërsa Pusteci dhe Këlcyra nuk kanë detyrime të prapambetura.


Të dhënat marrin rëndësi edhe në kuadër të diskutimeve për reformën e re administrativo-territoriale, e cila synon shkrirjen e 15 bashkive në shkallë vendi. Një ndër elementët që merren në konsideratë për përcaktimin e njësive që do të dalin nga harta është edhe gjendja financiare dhe niveli i detyrimeve të akumuluara.


Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, stoku i detyrimeve të prapambetura në fund të qershorit ka qëndruar thuajse në të njëjtat nivele me fundin e marsit 2026. Krahasuar me dhjetorin 2025, kur detyrimet ishin rreth 2.9 miliardë lekë, vihet re një rritje e lehtë, me rreth 300 milionë lekë.


Detyrimi i vendosur nga qeveria për shlyerjen e stokut ka pasur një ecuri pozitive gjatë dy viteve të fundit, por të dhënat vijojnë të tregojnë luhatje nga një tremujor në tjetrin. Objektivi mbetet shlyerja e plotë e detyrimeve të prapambetura.


Investimet publike zënë pjesën më të madhe të borxheve

Nga totali i detyrimeve të prapambetura ndaj bizneseve dhe qytetarëve, rreth 1.2 miliardë lekë lidhen me detyrime të papaguara për investime publike. Rreth 506 milionë lekë janë detyrime për shërbime, 363 milionë lekë lidhen me vendime gjykatash, ndërsa 658 milionë lekë klasifikohen si shpenzime të tjera.


Të dhënat tregojnë gjithashtu se niveli i borxhit të një bashkie nuk lidhet domosdoshmërisht me sipërfaqen apo numrin e popullsisë së saj.


Kavaja kryeson me 719 milionë lekë detyrime

Në krye të listës renditet Bashkia Kavajë, me 719 milionë lekë detyrime të prapambetura. Pas saj vjen Bashkia Tiranë, me 282 milionë lekë, ndërsa Pogradeci renditet i treti me 227 milionë lekë borxhe.


Bashkia Dimal rezulton me 144 milionë lekë detyrime, Cërriku me 141 milionë lekë dhe Vora me 139 milionë lekë. Në vijim renditen Rrogozhina, Divjaka dhe Dibra.


Në fund të renditjes për nivelin e detyrimeve ndodhen Vlora, Pusteci dhe Këlcyra, ndërsa dy bashkitë e fundit rezultojnë pa detyrime të prapambetura.


Bashkitë duhet të zbatojnë planet për shlyerjen e borxheve

Bashkitë kanë detyrimin të dorëzojnë pranë Ministrisë së Financave plane të detajuara për shlyerjen e stokut të detyrimeve të prapambetura dhe t'u përmbahen afateve dhe masave të përcaktuara në to.


Pavarësisht përpjekjeve për reduktimin e borxheve vendore, stoku prej 3.1 miliardë lekësh në fund të gjashtëmujorit tregon se detyrimet ndaj bizneseve dhe qytetarëve vijojnë të mbeten një çështje e rëndësishme për financat e pushtetit vendor.


Burimi: Scan


Më të lexuarat